KREU I - SHITJA DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 705
  • Kontrata e shitjes ka për objekt kalimin e pronësisë së një sendi ose kalimin e një të drejte kundrejt pagimit të një çmimi.

  • Neni 706
  • Në shitjen që ka për objekt fitimin në të ardhmen të një sendi ose të një të drejte, fitimi i pronësisë bëhet sapo sendi ose e drejta pranohet se ekzistojnë.
    Përveç kur palët kanë dashur të përfundojnë një kontratë me kusht pezullues, shitja është e paefektshme në qoftë se sendi nuk pranohet se ekziston.

  • Neni 707
  • Në qoftë se palët nuk e kanë caktuar çmimin, as nuk janë marrë vesh për mënyrën e caktimit të tij, në mungesë të ndonjë akti të organeve kompetente publike, prezumohet se palët kanë dashur t’i referohen çmimit të zbatuar normalisht nga shitësi në kohën e lidhjes së kontratës.
    Kur është fjala për sende që kanë çmim burse apo tregu, çmimi caktohet në bazë të listave të tregut të vendit ku do të bëhet dorëzimi, ose nga ato të vendit që është më afër tij.
    Në qoftë se çmimi është caktuar mbi bazën e peshës së sendeve, në rast dyshimi ai duhet të caktohet në bazë të peshës neto.
    Palët mund t’ia besojnë caktimin e çmimit një të treti, të emëruar në kontratë ose që mund të emërohet më vonë.

  • Neni 708
  • Shpenzimet e kontratës së shitjes dhe shpenzimet e tjera të lidhura me të, janë në ngarkim të blerësit, përveç kur në marrëveshje parashikohet ndryshe.

  • Neni 709 - Ndalime të veçanta të blerjes
  • Nuk mund të blejnë drejtpërdrejt, me anë të një tjetri, ose në ankand:

    a) personat që administrojnë ose ruajnë sende të huaja në bazë të ligjit ose të emërimit nga shteti, sendet që administrojnë ose ruajnë;

    b) personat zyrtarë që janë të ngarkuar të bëjnë shitje me ekzekutim të detyrueshëm, sendet që këta shesin;

    c) gjyqtarët, prokurorët, përmbaruesit, noterët dhe avokatët, sendet për të cilat ka grindje përpara gjykatës në të cilën bëjnë pjesë ose ushtrojnë funksionet e tyre, përveç kur këta janë bashkëpronarë mbi ato.